Wednesday, December 1, 2010

HISTORIKU I UNIVERSITETIT TE HISTORIS FILOLOGJIS

E-mailPrintPDF
Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë i Universitetit të Tiranës është krijuar në vitin 1951, si pjesë e Institutit të Lartë Pedagogjik, që ka qenë institucioni i parë në Shqipëri për përgatitjen e mësuesve me arsim të lartë për shkencat shoqërore dhe natyrore. Me krijimin e Universitetit të Tiranës në vitin 1957, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë u bë një nga shtatë fakultetet. Fillimisht ai përbëhej nga degët e historisë (më vonë histori – gjeografi), gjuhë – letërsisë dhe të gjuhës ruse. Qysh atëherë ai ka pësuar zgjerime dhe riorganizime të shumta. Kështu, në vitin akademik 1960 – 1961 iu shtua dega e gjuhës angleze dhe më 1966 ajo e gjuhës frënge. Më 1972 degët e gjuhëve të huaja u shkëputën nga ky fakultet për të formuar Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, ndërsa dy vjet më vonë të dy fakultetet u bashkuan në një të vetëm, për t’u ndarë sërish në vitin 1992.
Në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë kanë dhënë mësim personalitetet dhe shkencëtarët më të njohur shqiptarë në fushën e shkencave albanologjike, si: E. Çabej, A. Buda, M. Domi, Sh. Demiraj, S. Luarasi, N. Bulka, V. Kokona, I. Kadare, Q. Haxhihasani, S. Prifti, A. Kostallari, J. Xoxa etj. 
Profesorati i këtij fakulteti ka dhënë një ndihmesë të dukshme edhe për ngritjen dhe funksionimin e fakulteteve të Universiteteve të tjera të Shqipërisë duke përfshirë dhe Universitetin e Prishtinës.
Sot në këtë fakultet funksionojnë katër degë: dega gjuhë – letërsi, histori,  gjeografi dhe gazetari, e hapur në vitin 1992. Paralelisht me to, funksionojnë pa shkëputje nga puna degët gjuhë – letërsi, histori, gjeografi.
Fakulteti është i organizuar në pesë departamente: ai i historisë, i gjeografisë, i gjuhësisë, i letërsisë dhe i gazetarisë.
Stafi drejtues përbëhet nga dekani, dy zv. dekanët, kancelari dhe pesë përgjegjës departamentesh.
Trupa mësimore e Fakultetit përbëhet nga 76 pedagogë, prej të cilëve 24 mbajnë titullin “Profesor”, 9 mbajnë titullin “Profesor i Asociuar”, 12 me gradën “Doktor”, 21 pedagogë dhe 10 asistentë. Përveç tyre, në procesin mësimor aktivizohet dhe një numër i konsiderueshëm pedagogësh të jashtëm, kryesisht punonjës të institucioneve kërkimore shkencore etj. 
Numri i studentëve të tij ka ardhur duke u  rritur nga viti në vit. Aktualisht në këtë vit shkollor vazhdojnë studimet 1758 studentë me shkëputje nga puna; 2144 studentë pa shkëputje nga puna. Që nga viti 1992 – 1993 pranimi i studentëve në fakultet (për të dy sistemet) bëhet mbi bazën e konkursit. 
Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë ka qenë dhe është një qendër e rëndësishme shkencore e vendit, me një veprimtari të gjerë shkencore, ku përfshihet organizimi i konferencave shkencore dhe pjesëmarrja në tubime shkencore kombëtare, rajonale e ndërkombëtare, botimet e monografive, punimeve shkencore e të teksteve mësimore për shkollën e lartë, të mesme dhe 9-vjeçare etj. Njëherazi, ai mbetet institucioni më i rëndësishëm i vendit për përgatitjen dhe kualifikimin e studiuesve.
Sipas profileve përkatëse të shkencave albanologjike, këtu njihet e drejta e mbrojtjes së tezave të doktoratës prej kandidatësh vendas e të huaj. Kualifikimi pasuniversitar ka nisur qysh në vitin 1981, kur pranë tij u hapën disa kurse pasuniversitare njëvjeçare: fillimisht ai i psikologjisë, një vit më vonë kusi i gjuhës shqipe, në vitin 1984 kursi i historisë, më 1985 kursi i kritikës letrare dhe më 1987 kursi pasuniversitar i psikologjisë dhe i pedagogjisë pa shkëputje nga puna. Në vitin 1991 këto kurse u mbyllën, për t’u hapur përsëri më 1996, kësaj herë si shkolla pasuniversitare (fillimisht me korrespondencë), dmth. si shkallë e parë e një sistemi të plotë dyshkallësh të kualifikimit pasuniversitar që u ndërtua sipas departamenteve përkatëse: shkolla pasuniversitare e departamentit të Gjuhësisë, shkolla pasuniversitare e Departamentit të Letërsisë, shkolla pasuniversitare e Departamentit të Historisë dhe shkolla pasuniversitare e Departamentti të Gjeografisë. 
Në këtë fakultet aktualisht ndjekin studimet e masterit 223 studentë dhe 88 studentë të diplomuar që vazhdojnë doktoraturën. 
Edhe përmbajtja e procesit mësimor ka pasur ndryshime të shumta, në përputhje me shkallën e zhvillimit të shoqërisë shqiptare, me nevojat e saj dhe me kërkesat e shtuara para shkollës së lartë. Kështu, në fillim të gjitha degët kishin si detyrë kryesore përgatitjen e mësuesve për shkollën e mesme, megjithëse, në të vërtetë, mësuesit e diplomuar prej këtij Fakulteti kanë punuar edhe në ciklin e lartë të shkollës 8–vjeçare. Krahas kësaj, këto degë kanë siguruar edhe kontingjentin për institucionet kërkimore-shkencore dhe për institucionet e tjera kulturore të vendit, si të shtëpisë botuese, ATSH, Radioja e Televizioni, institutet e Akademisë dhe më vonë universitetet në rrethe etj. Për të plotësuar kërkesat e këtyre institucioneve për kuadra, duke filluar nga viti shkollor 1969–1970, pranë degëve gjuhë shqipe e letërsi dhe histori janë krijuar herë pas here, në varësi nga nevojat, edhe profile të veçanta për gjuhë të tjera të huaja, si për gjuhë latine, greke e vjetër, italiane, bullgare, rumune, serbo-kroate, çeke, poloneze, hungareze, gjermane e spanjolle.
Nisur nga nevojat e një përgatitje më të plotë të mësuesve dhe të specialistëve, edhe struktura edhe profili i degëve ka ardhur duke u ndryshuar. Kështu, në vitin 1982 u arrit ndarja e degës histori – gjeografi në dy degë të veçanta: histori me elemente të gjeografisë dhe gjeografi me elemente të historisë. Rezultatet pozitive të kësaj ndarje të pjesshme, ngritja e nivelit të kualifikimit të profesoratit dhe sidomos mundësitë e krijuara pas vitit 1990, e bënë të domosdoshëm thellimin e mëtejshëm të specializimit të këtyre degëve. Si rrjedhim tani të dyja degët e mësipërme kanë dy profile mësuesi dhe specialitet.
Këto specializime e profilizime janë shoqëruar edhe me një punë të madhe për hartimin e planeve të reja mësimore, të programeve të lëndëve shumta që janë shtuar në këto plane si dhe rishikimin e programeve të lëndëve ekzistuese, me qëllim që të pasqyrohen në to arritjet shkencore botërore.
Një ndihmesë të çmuar ka dhënë fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë për përgatitjen e studentëve të huaj si përkthyes, gjuhëtarë, historianë, studiues të letërsisë etj. Veçanërisht e madhe ka qenë puna e bërë nga dega e gjuhës dhe e letërsisë shqipe pranë së cilës kanë studiuar dhe janë diplomuar 282 studentë nga 25 vendë të ndryshmë të botës, kryesisht nga vendet e Europës, nga Amerika, Azia e Afrika. Nga viti 1991 e këndej pranë Departamentit të Gjuhësisë kanë ardhur, kryesisht në kuadrin e konventave kulturore, studentë të huaj një pjesë e të cilëve pas përfundimit të kursit përgatitor njëvjeçar, po studiojnë për gjuhë shqipe dhe letërsi. 
Përmes konventave kulturore e marrëveshjeve universitare, ky fakultet ka krijuar e po krijon bashkëpunime me institucione homologe si në Francë, Itali, Greqi, Austri, Gjermani, Angli, SHBA, Turqi, etj., kryesisht për kualifikim për shkëmbime shkencore etj. Një numër i madh pedagogësh e asistentësh kanë shkuar pranë këtyre universiteteve për kualifikime e specializime afatshkurta e afatgjata; studentët tanë tashmë po shkojnë në ekspedita mësimore në vendet fqinje të Ballkanit. Nga ana tjetër, pranë Fakultetit këto vitet e fundit kanë ardhur lektorë të huaj për të mbajtur kurse të plota e cikle leksionesh, për konferenca e kërkime shkencore.
Aktualisht janë hartuar të gjitha kurrikulat sipas Zonës Europiane të Arsimit të Lartë. Sipas këtyre kurrikulave jepen diploma të nivelit të parë, diploma të nivelit të dytë, mastera të nivelit të parë.......................

HISTORIKU I UNIVERSITETIT TE TIRANES

Universiteti i Tiranës u themelua në vitin 1957 dhe kishte në përbërje të tij 6 fakultete. Në vitin 1991, nga ky universitet, asokohe me 11 fakultete, u shkëputën fakultetet inxhinierike, që krijuan Universitetin Politeknik të Tiranës. Universiteti i Shtetëror i Tiranes mbush 52 Vjet. Jemi mësuar kaq shumë me ketë emër sa pa frike mund te themi saqë kudo që shkojmë kurdoherë që I kthehemi memories sonë e gjejmë aty atje, kudo jemi duke folur për institucionin që në 50 vitet e fundit mban vulën më tepër se kushdo për edukimin e liderëve te politikes, ekonomisë,  shkencës të atyre që dizenjuan dhe ndërtuan te gjithë qelizat e shoqërisë sonë kudo ku ka pasur dhe ka prosperitet. Fillesat e para për ngritjen e këtij monumenti të gjallë tëShqipërisë filluan që pas luftës se dytë botërore ku krijuan disa institucione të ndryshme arsimore. Pas kalimit të një periudhe 13 vjeçare këto përpjekje u finalizuan në vitin 1957. U themelua institucioni që u quajt Universiteti Shtetëror I Tiranës. Në këtë institucion u shkrinë instituti pedagogjik, politeknik, ekonomik, mjekësor, juridik dhe instituti i shkencave. Ky institucion u ndërtua si nevojë ku u harmonizuan eksperienca e jo pak pedagogëve që vinin nga eksperienca dhe shkollime perëndimorë nevojat në rritje të vëndit por sigurisht edhe pasioni. Kombi po krijonte institucionin e dijes sidomos në kushtet kur vendi kishte nevojë për më tepër se kurrë te ndërtohej dhe zhvillohej në  vitin e parë akademik 1957-58 universiteti kishte 3613 studentë nga të cilët 3000 në sistemin me kohë të. Studentet do të diplomoheshin në 15 specialitete sipas degëve përkatëse. Vendi kish nevoje për specialiste dhe universiteti zgjeronte degët lëndët hapësirat por edhe ambicien për të shkuar në misionin e vet në pararojën e zhvillimit të vendit. Nuk ka pasur asnjë fushë te ekonomisë kur pedagoget dhe studentët nuk kanë pasur kontributin shpeshherë edhe përcaktues në dizenjimin dhe realizimin e rrugëve hidrocentrale dhe veprave madhore që kishin filluar të ndërtoheshin. Në 1967 universiteti mori formën e vet të plotë me ndërtimin e kampusit të parë të saj duke i dhënë këtij universiteti një dinamizëm më të madh.  Kështu pas 22 viteve nga krijimi pra 1977 numri i studenteve pa shkëputje nga puna arriti ne 8880 nga te cilat reth gjysma ishin vajza duhet theksuar që në këto vite të para ishin diplomuar 21368 studentë të cilët u më pas u angazhuan në sektorët më të  vështirë të jetës së vendit. Nuk kish si të mos ndikonin në eksperiencën e universitetit studentët që studionin në disa nga universitetet më të mirë të kohës si në Ish-Bashkimin Sovjetik, Hungari, Francë, Suedi, Gjermani etj.
Universiteti i Tiranës nga viti 1991 deri 2007
Në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit XX rrjedha tradicionale mbitridhjetvjeçare e Universitetit të Tiranës u ndal. Universiteti  u bë vatër e një lëvizjeje, që tronditi dhe shumë shpejt përmbysi gjithë sistemin politik në Shqipëri.
Kriza e rëndë ekonomike e sociale, përgjithësisht, e padurueshme thuajse për të gjithë, gjeti shprehjen e kundërshtimit fillimisht pikërisht te studentët, të cilët, në masë të gjerë, dinin ta shprehnin dhe ta sendërtonin më mirë se çdokush, jo vetëm se gjendjen e kuptonin më mirë, por edhe sepse, për shkak të përbërjes së tyre, e ndjenin veten më të mbrojtur, por jo edhe të parrezikuar. Ndjeshmërinë e kësaj shtrese partia-shtet jo vetëm e kuptonte, por në disa raste edhe e kishte parë; prandaj atë fillimviti të 90-s paraprakisht reklamonte se mjediset studentore ishin rregulluar dhe do të rregulloheshin edhe më mirë. Kjo propagandë u ndoq pak kohë më vonë me disa përurime të godinave të reja në qytetin “Studenti”, të ndërtuara me fonde shtetërore të disa rretheve kryesore të vendit. Por këto përurime, megjithëse lehtësuan disi kushtet e banimit, nuk ndikuan aspak në  gjendjen shpirtërore të studentëve, çka u duk edhe nga përcjellja në heshtje, thuajse pa u vënë re prej tyre. Edhe një paketë masash të mëtejshme të qeverisë për disa lehtësira të tjera, si: e drejta e udhëtimit me gjysmë bilete, ushqim më të mirë, rritje burse etj., masa të cilat nuk arritën të sendërtoheshin, pra edhe as të ndërronin sado pak imazhin, sepse shumë shpejt u zhvilluan ngjarje krejt të papritura për kohën. 
Por, megjithatë, këto ishin vetëm ndjesi të brendshme. Ajo që i shqetësoi, më saktë, i tronditi strukturat  shtetërore dhe partiake ishin orët e leksioneve dhe të seminareve të historisë së PPSh-së. Në shumë raste këto orë u kthyen nga vërejtje të pjesshme në kritika dhe qëndrime të ashpra për politika të gabuara në luftën kundër fesë, centralizimit të rreptë, kooperativizimit tërërsor, izolimit nga bota etj.